Shqipëria është kthyer në një shtëpi për ukrainasen Oksana Genkina Subashi, edhe pse 13 vite më parë as nuk e mendonte që vendi që e pa thjesht si mundësi pune, do t’i sillte një familje. Ajo është martuar me një djalë shqiptar, i cili ishte koleg i saj dhe bashkë kanë tre fëmijë.

Ukrainasja tregon në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se ka gjetur ngjashmëri mes dy vendeve, sidomos lidhur me familjen çka ka ndihmuar në marrëdhënien e tyre. Oksana është përshtatur me zakonet e traditat, ndonëse nuk i është dashur t’i mësojë imtësisht. Një nga traditat që nuk i duken të përshtatshme janë vizitat e shumta nga të afërmit kur një grua sapo është bërë nënë.

Aldo: Cilat janë disa nga zakonet ose traditat shqiptare  që ty të janë dukur më të veçanta, ndoshta edhe të habitshme krahasuar gjithmonë me Ukrainën?

Oksana Genkina Subashi: Për shembull, kur lindin gratë të vjen gjithë fisi në maternitet. Unë shyqyr i kisha vënë kusht burrit meqë e kisha dëgjuar se e kam shumë problem emocionalisht, nuk e di si durojnë gratë shqiptare.

Aldo: Durojnë të shkretat.

Oksana Genkina Subashi: Durojnë të shkretat, por unë mendoj që nuk duhet duruar sepse është një nga momentet më të bukura të jetës dhe duhet përjetuar vetëm me bashkëshortin e prindërit dhe është  vështirë fizikisht e emocionalisht dhe duhet vetëm qetësi, ndihmë, suport, dashuri dhe jo 150 vetë rreth e rrotull./tvklan.al