Emisioni “Stop” ka publikuar sot denoncimin e Mimoza Sinanajt nga Kanina e Vlorës. Mimoza ka denoncuar postierin, pasi sipas saj ky i fundit i ka marrë pagesën e energjisë elektrike, por nuk e ka depozituar në llogarinë e OSHEE-së.

Denoncuesja tregon se në libreza i ka të gjitha muajt të paguara dhe të vulosura nga postieri. Por për 6 muajt e vitit 2011 lekët e dritave nuk janë  depozituar në zyrat e OSHEE.

Bëhet fjalë për një vlerë 150 mijë Lekë të vjetra, që për pasojë në Dhjetor 2020, OSHEE i ka ndërprerë energjinë familjes Sinanaj.

Emri i punonjësit është Bekush dhe ai nuk është më në punë. Në zyrën postare të Babicës na thuhet, se nuk ka patur sistem online për pasqyrimin e pagesave dhe çdo gjë bëhej manualisht, ndaj dhe është krijuar kjo problematikë.

Gazetarja: Në vitin 2011. Ka qenë punonjësi me emrin Bekush…

Punonjësi i Postës: Shehu!

Gazetarja: Që sot nuk është më në punë, është bërë pagesa e energjisë elektrike nga familja. A ka pasur gjë online në atë kohë.

Punonjësi i postës: Ka qenë me dorë, manuale.

Gazetarja: Këto librat e postierit?

Punonësi i postës: Janë në ndërmarrje.

Gazetarja: Me ndërmarrje e ke fjalën tek posta qendrore, tek posta e Vlorës. Sot që bëhet një pagezë.

Punonjësi i postës: Po kalon automatikisht ajo, personi, që vjen këtu sjell librezën merr faturën.

Gazetarja: Por kalon dhe online…

Punonjësi i postës: Po!

Pas postës në Babicë, “Stop” shkoi dhe në zyrën e Postës shqiptare, filiali Vlorë, drejtori dhe shefi i burimeve njerëzore pranojnë, se për këtë punonjës ka patur dhe ankesa të tjera.

Drejtori: Pak a shumë këto janë probleme të mbartura dhe e dimë shumë mirë, që kemi debitorë të mbartur nga vitet e kaluara. Është trajtuar dhe herë të tjera nga emisioni juaj. Ne nuk kemi 2 qëndrime, kemi një qëndrim standard. Që të japim një vërtetim për qytetarin, duhet, që Zyra Postare, që ka bërë veprimet, si në rastin konkret, të jetë hapur një proces gjyqësor dhe të vërtetohet, që ne jemi në debi. Kjo librezë mund të lëshohet gjithandej dhe unë nuk jam ekspert të vërtetoj firmën e zotërisë.

Gazetarja: 9 muaj në 2011-ën e njëjta vulë, njihet 3 muaj, që Bekushi ka harruar të depozitojë Lekët…

Drejtori: Po nuk jam ekspert, Bekushin nuk e kam gjetur në punë fare këtu. Bekushi ka një listë të tërë me debi dhe nuk jam unë ai, që provoj është firma e Bekushit, apo nuk është firma e Bekushit.

Gazetarja: Bekushin e paskeni rast të dëgjuar pra.

Drejtori: Po sepse kanë ardhur qytetarë të tjerë, që janë ankuar, patjetër, që kanë ardhur.

Gazetarja: Ku janë librat, shkojmë e shohim librat shumë e thjeshtë.

Drejtori: Ku janë librat, i kemi librat?

Shefi i Burimeve Njerëzore: Janë një pjesë, që më ka dhënë mua ai, por nuk janë të gjitha.

Drejtori: Ato, që janë!

Gazetarja: Akoma më e rëndë kjo. Si keni lejuar, që të ka lënë një pjesë të librave dhe nuk të ka bërë dorëzimet e plota.

Shefi i Burimeve Njerëzore: Unë jam 1000 herë i ndërgjegjshëm, që këta kanë të drejtë, se kanë abuzuar punonjësit tanë nuk kanë faj qytetarët.

Drejtori: Do të shkojmë vetë te OSHEE, do ta shikojmë vetë debinë, do të gjejmë dhe ndonjë kontakt të Bekushit, sepse është shumë komplekse, mund t’i ketë marrë ai në xhep. Po ia morëm atij, do i paguajmë direkt nga xhepi i Bekushit.

“Stop” u interesua dhe në OSHEE dhe për rastin e zonjës Mimoza Sinanaj u njoftuam, se pagesa u bë nga posta, debia e zonjës u hoq dhe energjia u rilidh.

Pa ndërhyrjen tuaj, problemi im kishte vite, që sorollatej dhe unë jam shumë e kënaqur dhe ju falënderoj nga shpirti për zgjidhjen, që më dhatë. Në radhë të parë, nëna ime ju falënderon me shpirt, një pensioniste, që nuk i jepej zgjidhje prej shumë kohësh”, është shprehur denoncuesja./tvklan.al