Edukatorja Alisa Bykyku ka denoncuar një emërim të padrejtë në Devoll. Ajo tregon se ka fituar e katërta në portal dhe ZA Devoll e emëroi edukatore në Cangoj, me një kontratë 3 mujore. Por në 18 Qershor i vjen një dublante për ta zëvendësuar. Bëhet fjalë pikërisht për gruan e Nënkryetarit të Bashkisë, Ylli Taho, edhe pse kjo e fundit ishte e 16-ta në portal. Në ZA i thonë që merret Bashkia me emërime dhe paga, ndërsa në Bashki i përgjigjen se e ka emëruar ZA-ja, ndaj nuk e njohin dhe nuk e paguajnë.

Unë dhashë portalin vitin e kaluar dhe zura vendin e katërt. U lirua vendi në Cangoj dhe në bazë të portalit më thirri Zyra Arsimore dhe firmosa kontratën që në datën 9 Prill, e kam 3 mujore, deri në datën 3 Korrik. Problemi qëndron që unë që ditën që kam filluar dhe deri më sot, nuk më është kaluar asnjë pagë nga Bashkia. Fondet e pagesave i ka Bashkia. Kam shkuar tek Zyra Arsimore më ka thënë që i ka Bashkia. Kam shkuar te Bashkia, Bashkia është shprehur që nuk më njeh si edukatore. Më datë 18 Qershor, mua më vjen një dublante, një edukatore e re, e cila ishte me kontratë nga Bashkia dhe është gruaja e nënkryetarit të Bashkisë. Kjo është e 16-ta në portal dhe domethënë ajo do të zërë vendin tim. Prandaj dhe iu drejtova emisionit Stop, sepse asnjë nuk më jep zgjidhje… Unë kërkoj rrogën time, kërkoj edhe të më mbetet vendi i punës, përderisa mua nuk më ka mbaruar kontrata, si është e mundur që ata sjellin një tjetër në vendin tim?”

Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Ismail Gjata” në fshatin Cangoj, Burbuqe Bylykbashi, e pyetur nga gazetarja e Stop thotë se është në dijeni të problemit, por zëvendësuesja ka ardhur me vendim të Bashkisë.

Drejtoresha e shkollës-Po, unë jam në dijeni të këtij problemi, por këtë e ka caktuar Bashkia vetë, dhe unë i thashë asaj, që Alisa është deri më 3 Korrik.

Drejtoresha e shkollës-Nuk e di! Atë e di Bashkia!

Drejtoresha e shkollës-Po s’e paguan Bashkia, sepse rrogën ia merr Bashkia atyre. Për çështjen e pagesave, këtu kështu është bërë.

Drejtoresha e shkollës-Kanë marrë dublante, dublanten e paguajnë, tjetrën s’e paguajnë. Me gjyqe me gjëra…

Drejtoresha e shkollës-Jo, jo!

Ndërsa sipas Drejtoreshës së ZA-së Devoll, Imelda Cycko, Bashkia ka shkelur ligjin.

“Është ndjekur e gjithë procedura ligjore, në bazë të ligjit dhe në bazë të udhëzimit 38 është futur sipas rankimit të portalit. Alisa Bykyku pozicionohet e 4 në portal. Është thirrur e interesuara e pozicionit të parë, të dytë, të tretë. Janë marrë deklaratat përkatëse dhe këtë vend e ka pranuar dhe merituar, Alisa Bykyku. Për këtë fakt është rritur një kontratë provizore me drejtoreshën e shkollës në Cangoj. Alisës i mbaron kontrata në Korrik. Sa i përket emërimit që mund të jetë bërë nga Bashkia Devoll, ne nuk jemi në dijeni me shkresë zyrtare, sepse ata pretendojnë që mund të kenë bërë një emërim të saktë. Por realisht Alisës nuk i ka mbaruar kontrata dhe nuk duhet të mbivendosen 2 edukatore, njëra pas tjetrës”.

“Që në momentin që nuk është respektuar rankimi i portalit, absolutisht ka shkelje ligjore”, shton më tej Drejtoresha e ZA.

Me anë të kamerës së fshehtë, denoncuesja i drejtohet Bashkisë së Devollit. Aty komunikon fillimisht me Burimet Njerëzore…

Qytetarja-Jam ajo edukatorja, që punoj në Cangoj, edhe që Bashkia nuk më jep rrogën.

Burimet Njerëzore-Po nga mua, ç’kërkon?

Qytetarja-Të më sqaroni!

Burimet Njerëzore-Unë dokumente nuk kam, kështu që është Sekretarja e Përgjithshme, shko aty!

Qytetarja-Atje…

Burimet Njerëzore-Unë domethënë, emëroj ato, që më vijnë dokumentet, domethënë.

Qytetarja-Po dokumentet edhe për mua, të kanë ardhur. Ti ka sjellë Buqja (drejtoresha e shkollës) edhe ju s’më kaloni rrogën.

Burimet Njerëzore-Për këtë do të pyesni Sekretaren e Përgjithshme!

Biseda me sekretaren e Përgjithshme:

Qytetarja-Andeta, mund të më sqarosh pak 2 minuta, të lutem?

Sekretarja e Përgjithshme-Alisa, të lutem se kam punë!

Qytetarja-Po edhe unë, për punë kam ardhur!

Sekretarja e Përgjithshme-Të lutem, nuk mundem!

Qytetarja-Pse nuk mundesh? 5 minuta?

Sekretarja e Përgjithshme-Asnjë sekondë, sepse kam punë!

Qytetarja-Domethënë, kështu merreni me popullin juve?

Nënkryetari i Bashkisë shprehet se gruaja e tij ka qenë e dyta në portal, edhe pse ajo ishte e 16-ta.

Qytetarja-Tani, me kë mund të flas unë?

Nënkryetari Ylli Taho-Po, mund të flasësh me mua!

Qytetarja-Kush je ti? Më fal, që po të pyes!

Nënkryetari Ylli Taho-Unë jam Nënkryetari i Bashkisë!

Qytetarja-Domethënë, gruaja jote është atje në mua?

Nënkryetari Ylli Taho-Ku?

Qytetarja-Në kopshtin e Cangoj-it.

Nënkryetari Ylli Taho-Po gruaja ime është te ai kopsht.

Qytetarja-Po mirë, unë jam e 4-ta në portal,ajo e sata është, në qoftë se mund të ma thuash?

Nënkryetari Ylli Taho-Ajo është e 2-ta në portal.

Qytetarja-Jo, nuk është e 2-ta në portal!

Nënkryetari Ylli Taho– Jo!

Qytetarja-Tani, listën unë e di shumë mirë, që nuk është e 2-ta në portal dhe ajo është e 16-ta.

Nënkryetari Ylli Taho-Është e 2-ta!

Qytetarja-Në portal e 1-ra është Adelina, e 2-ta është Burka, e 3-ta është Jonida, e 4-ta jam unë.

Nënkryetari Ylli Taho-Edhe është mësuese, ka 2 vjet mësuese, moj ti!

Qytetarja-Po le të jetë, sa të dojë!

Nënkryetari Ylli Taho-Dhe ajo është, është në punë. Është në marrëdhënie pune.

Qytetarja-Kur u hap vendi, më thirrën mua, nuk thirrën gruan tënde!

Nënkryetari Ylli Taho-Kush të thirri? Kush të thirri ty?

Qytetarja-Zyra Arsimore më thirri.

Nënkryetari Ylli Taho-Po mirë, shko në Zyra Arsimore!

Qytetarja-Po vajta te Zyra Arsimore unë.

Nënkryetari Ylli Taho-Ok! Shko sqarohu me Zyrën Arsimore!

Qytetarja-Po çfarë të sqaroj unë? Të më sqaroni juve!

Nënkryetari Ylli Taho-Të sqarova unë.

Qytetarja-Po çfarë po më sqaron ti? Ti asgjë, s’po më sqaron mua!

Nënkryetari Ylli Taho-Ajo atje është në bazë të ligjit.

Qytetarja-Po, po ligjin. E di ligjin unë, e di ligjin! Po të ishte ligji, duhet të isha unë atje, jo ajo! Pse s’më paguani mua?

Nënkryetari Ylli Taho-Të thashë, ajo edukatorja, që është atje, është emëruar në bazë të ligjit.

Qytetarja-Po në bazë të ligjit edhe unë jam emëruar.

Nënkryetari Ylli Taho-Kështu që nuk je në bazë të ligjit!

Qytetarja-Po si nuk jam në bazë të ligjit unë? Unë jam e 4-ta në portal, si s’jam në bazë të ligjit? Është ajo më përpara, se mua?

Pas qytetares tek Bashkia e Devollit shkoi gazetarja e Stop, mirëpo zyrtarët e institucionit “avulluan”.

Gazetarja-Jeni Sekretarja e Përgjithshme e Kryetarit? Mund ta vini pak në dijeni, që ka ardhur emisioni “Stop”?

Sekretarja e Përgjithshme-Ah, po! Por Kryetari sapo lëvizi!

Megjithatë, gazetarja arriti të komunikonte me Kryetarin e Bashkisë, Bledjon Nallbati, i cili thotë shprehimisht se nuk i do qejfi ta paguajë Alisa Bykykun, pasi është e emëruar nga ZA-ja.

Gazetarja-Më fal zotëri, pse s’e ke paguar këtë zonjën 3 muaj?

Kryetari Bledjon Nallbati-Se s’më do qejfi! Vazhdoni aty!

Gazetarja-S’të do qejfi?! 3 muaj, pse s’e ke paguar?

Kryetari Bledjon Nallbati-Sepse kjo është punonjësja e Zyrës Arsimore.

Gazetarja-Kush e paguan? E paguan Bashkia.

Kryetari Bledjon Nallbati- E paguan Zyra Arsimore. Ata që e kanë, ata, që e kanë emëruar, ata ta paguajnë!

Por kjo nuk është e vërtetë, pasi Drejtoresha e ZA Imelda Cycko sqaron se “nuk i paguan Zyra Arsimore Devoll, sepse nga 2015-ta me vendim të Këshillit të Ministrave, paga për mësuesit e parashkollorit, xhirohet nga Bashkia Devoll. Dhe të gjitha emërimet që janë bërë nga 2015-ta dhe në vijim deri në ditën e sotme, Bashkia Devoll ka bërë pagesën, megjithëse emërimi është bërë nga Zyra Vendore Arsimore Devoll”.

Këto 3 muaj kush e ka marrë pagesën e Alisës?

“Përderisa fondin e pagave e xhiron vetë Bashkia Devoll të mësuesit të parashkollorit, patjetër që duhet të përgjigjet vetë Bashkia.”

E vetmja zgjidhje për Bylykun mbetet gjykata./tvklan.al