Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se më 2 shkurt do të mbahet seanca për shqyrtimin e miratimit të projektbuxheti të Kosovës për këtë vit.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se kjo seancë do të ketë nëntë pika të rendit të ditës.

“Seanca të bëjë me buxhetin e Republikës se Kosovës, në mënyrë që qytetarët, punonjësit e sektorit publik dhe të gjithë sektorët e investimeve të funksionojnë në Republikën e Kosovës

”, ka deklaruar ai.

Së bashku me projektbuxhetin në seancë do të shqyrtohet për miratim edhe Ligji për pagat.

Kryesia e Kuvendit kishte paralajmëruar më herët se projektligji për buxhetin e këtij viti do të votohej më 31 Janar. Kosova ka hyrë në vitin 2019 pa buxhetin e miratuar nga Kuvendi.

Nga 2.3 miliardë Euro sa parashihet buxheti i Kosovës për këtë vit, shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje është paraparë të jenë 616 milionë euro, kurse rreth 770 milionë Euro tjera do të ndahen për investime kapitale./REL