Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet gjatë kësaj jave në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar katër ligje që lidhen me proceset e integrimeve evropiane dhe liberalizimin e vizave.

Nëpërmjet kësaj seance të thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, synohet që të dërgohet, siç thuhet, një mesazh se Kosova po vazhdon të trajtojë të gjitha obligimet që dalin në fushën e sundimit të ligjit.

Ditëve të fundit, shumë vende të Bashkimit Evropian kanë shprehur hezitim për liberalizim të vizave për Kosovën. Kjo çështje do të duhej të futet në agjendën e takimit të Këshillit Evropain kur pritet të mbahet në muajin dhjetor. Por, zyrtarët evropianë kanë thënë se mbetet e paqartë nëse do të bëhet një gjë e tillë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se është e habitshme për ngecjet që Kosova po përballet në agjendën për liberalizimin e vizave pasi, sipas tij, të gjitha kushtet që kanë qenë tashmë janë të përmbushur.

“Është vendosur një listë me kushte, kushtet janë kryer, tani është mirë të sqarohet pse ka ngecje. Ka shumë spekulime se përse ka ngecje. Nëse ka votuar edhe parlamenti i Bashkimit Evropian atëherë ishte dashur të zbatohen nga institucionet e tjera. Nuk mendoj se është anuluar liberalizimi i vizave, ne jemi në proces por është e habitshme që hasim në vështirësi të hyjmë në agjendë. Kemi ende shumë shpresë jemi optimistë”, 

tha kryeministri Haradinaj.

Edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha sot pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit, se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se sipas tij Kosova nuk duhet të paguajë çmimin e vendeve tjera.

“Kosova është larg më mirë me përparimin që ka bërë, në krahasim me Gjeorgjinë, Ukrainën, Moldavinë dhe në të njejtën kohë edhe Shqipëria dhe thjeshtë qytetarët tanë duhet të lëvizin lirshëm. Nuk besoj se duhet të rritet skepticizmi por duhet të rritet në të njejtën kohë edhe reflektimi i vendeve të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës,” 

tha ai.

Çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të mbetet një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës, në një kohë kur janë hapur mundësitë për një vendim pozitiv.

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës që nga muaji mars kur është ratifikuar marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kanë theksuar vazhdimisht se deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.

Por, autoritetet evropiane u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të kenë durim në procesin e liberalizimit të vizave dhe të shmangin, siç thonë afatet artificiale.

Në shtator, Parlamentit Evropian, votoi me shumicë votash në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Votimi në parlament u hapi rrugë bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje.

Por, zyrtarët evropinë kanë paralajmëruar mundësinë e shtyrjes së vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën për shkak se shumë shtete kanë shprehur hezitim për një gjë të tillë./VOA