Në një prononcim për Tv Klan, pas fitores 3 me 1 me Ishujt Faroe, futbollisti i kombëtares Taulant Seferi u shpreh i lumtur që misioni për të fituar të dyja ndeshjet u përmbush me sukses.
“Jam shumë i kënaqur se qëllimi ishte t’i fitonim këto dy ndeshje dhe kjo më bën më të lumtur. Sa i përket paraqitjes sime, besoj që ishte e mirë, por mundem që të bëj edhe më mirë në të ardhmen shpresoj. Por më e rëndësishme është fitorja dhe jemi të gjithë të lumtur”.
Taulant Seferi ka shënuar vetëm një gol në 13 ndeshje të luajtura me kombëtaren. Futbollisti tha se këtë të martë pengesë kishte pasur fushën sintetike. I keqardhur që humbën shumë raste, Seferi shprehet besimplotë se në të ardhmen do të shënojë për kombëtaren.
“Konkurrenca më pëlqen po sa i përket shënjestrës besoj që më pengoi kjo fusha sintetike, se e kapa me thembër aty, desha të gjuaja në shtyllën e dytë, por e kapa keq me thembër dhe topi ishte i ngadaltë kur ma dha Cika. Besoj që shënjestrën e kam mirë, shpresoj që në të ardhmen të shënoj për kombëtaren. Padyshim kemi humbur shumë raste, nuk është mirë me humb kaq shumë raste. Duhej sot me e kryer ndeshjen sa më shpejt, por prap shyqyr Zotit e fituam ndeshjen dhe ky ka qenë qëllimi jonë me i fituar të dyja ndeshjet.
Me fitoren ndaj ishujve Faroe, Shqipëria merr tre pikë me vlerë dhe ngjitet e dyta në grup. Një dhuratë për kombëtaren erdhi edhe nga Kishinjevi. Moldavia fitoi me rezultatin 3-2 përballë Polonisë, një nga ekipet pretendente të grupit E. Aktualisht Çekia është në vendin e parë me 7 pikë, Shqipëria 6 pikë, Moldavia 5 pikë, Polonia 3 pikë dhe Ishujt Faroe 1 pikë./tvklan.al