Segmenti i vdekjes që lejon aksesin në autostradë

Segmenti i vdekjes që lejon aksesin në autostradë

21:23 14/05/2020

Kohë më parë kemi trajtuar fenomenin e rrezikshëm, sesi automjetet në qytetin e Vorës hynin në kundërvajtje në autostradë, duke u bërë shkak për aksidente të shumta.

Në atë kohë, me sensibilizimin e situatës, ARRSH mori masa, duke bllokuar me barriera metalike hapësirat, që lejonin aksesin në autostradë.

Por duket, se ARRSH bëri vetëm një zgjidhje të pjesshme, duke lënë një pjesë rreth 300-400 metra pa barriera metalike mbrojtëse, e duke bërë që rreziku vetëm të zhvendoset.

Në këtë segment, disa ditë më parë u aksidentua rëndë një punonjës policie, i cili u përplas nga një automjet, që lëvizte me shpejtësi në autostradë.

Eksperti i Sigurisë Rrugore Fatmir Hasho shpjegon rrezikun e këtij segmenti, që e quan një pikë të zezë. Për të shmangur aksidentet, ai propozon mbylljen e kësaj rruge dytësore në aksesin që ka në autostradë.

Në gjykimin tim profesional, duke qenë edhe auditues i sigurisë rrugore, unë këtë e konstatoj si një pikë shumë të errët. Pra, detyrimisht këtu duhet të bëhet ndarja e rrugës interurbane Tiranë-Durrës me rrugën interurbane dytësore, Maminas-Vorë. Këtu as kamionët dhe as makinat e vogla nuk duhet të futen, sepse nëse për mjetet e vogla mundësia e kalimit të tyre është brenda nëpërmjet qytetit të Vorës dhe dalin prapë në rrugën kryesore me destinacion Tiranën, i vetmi problem mbetet problemi i kamionëve, për të cilët unë mendoj se maksimalisht mund të bëjnë 10 km dhe të shkojnë të kthehen tek kthesa e Sukthit, të kryejnë një kalim të plotë në rrugët që janë me parametra për hyrje daljet në këto lloj rrugësh. Në këtë situatë që jemi duke parë edhe dendësinë e mjeteve në rrugë, këtu mundësia për të ndodhur aksidente është shumë e madhe. Po të vini re, mjetet kalojnë nga të gjitha drejtimet, çka do të thotë se edhe ai që vjen nga Vora, për të shkuar në Maminas, i cili është i detyruar të kalojë në krahun e djathtë të rrugës, përballë mund të ketë minimalisht, për sa kohë qëndruam këtu kanë kaluar 10 kampionë dhe makina të vogla. Këtu krijohet edhe një diferencim në lëvizjen me shpejtësi, vijnë me një shpejtësi shumë të madhe dhe për një arsye ose një tjetër, një që dëshiron të dalë këndej, kryen një frenim dhe ai që vjen prapa është në një shpejtësi shumë të madhe dhe rrezikon përplasjen. Janë disa elementë shumë të rëndësishëm që këtë e bëjnë një pikë shumë të zezë dhe që duhet rregulluar në mënyrë urgjente nga autoriteti rrugor. Zgjidhja? Pa asnjë mëdyshje, edhe nëse është e dhimbshme për dikë, këtu është vetëm mbyllja në mënyrë të prerë, me trafikndarës, ose me metoda të tjera. Ajo mund të mbyllet edhe thjeshtë, me një vijë kufizuese anësore, të pandërprerë, që nuk lejon kapërcimin e mjeteve, por në kushtet kur e duam pak më të rreptë, është mirë të mbyllet me trafikndarës”, thotë Hasho. /tvklan.al

Të ngjashme

Grupi

Kallezo