Në 20-vjetorin e krijimit të Shoqatës së Bankave, kreu i Bankës së Shqipërisë ishte i drejtpërdrejtë kur kërkoi një përmbushje më të mirë të rolit të tyre në ekonomi, duke iu referuar kreditimit.

Edhe pse për periudhën e parë të vitit kredia për sektorin privat ka njohur një rritje të lehtë, në 5 vitet e fundit norma e huadhënies për biznesit mbetet negative. Gent Sejko tha se përmirësimi i treguesve të shëndetit bankar, pra ulja e kredive të këqija dhe likuiditeti që kanë bankat, duhet të reflektohet në kredi për sipërmarrjen dhe familjet.

“Sektori bankar duhet të përmbushë më mirë rolin e tij të ndërmjetësuesit të fondeve në ekonomi. Përmirësimi i treguesve të shëndetit, reduktimi i rrezikut të kredisë dhe konsolidimi i sektorit bankar, duhet t’i hapin rrugë një përqasjeje më aktive të bankave në kredidhënie. Potenciali financiar i vendit duhet të pasqyrohet më mirë në kreditimin e bizneseve dhe familjeve shqiptare”.

Por kreu i Shoqatës së Bankave tha se bankat kanë nevojë për një klimë të qëndrueshme dhe për mbrojtjen e aseteve të tyre.

“Stabiliteti do të thotë po ashtu që të shohësh përpara për inovacion, stabilitet do të thotë po ashtu të krijosh një klimë të qëndrueshme në mënyrë që të mbrohen asetet tona”

, theksoi Silvio Pedrazzi.

Për 3 mujorin e parë të vitit kredia për biznesin u shtua me 60 milionë Dollarë, duke shënuar një rritje vjetore në masën 6.3%, ndërsa për individët rritja ishte në nivelin 4.8%. Huadhënia më e madhe u regjistrua për degën e industrisë dhe më pak për tregtinë dhe ndërtimin.

Tv Klan