“Të reduktohet informaliteti në ekonomi”

Deficitet e krijuara nga skema e pensioneve sipas Bankës e Shqipërisë përbëjnë një sfidë serioze për financat e shtetit.

Prandaj dhe Guvernatori Gent Sejko në diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2024 sugjeron rishikim periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve.

Gent Sejko: Ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar.

Në opinionin e saj për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen në faktin se shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend, aktualisht rreth nivelit 28% të PBB-së, mbetet relativisht e ulët në krahasim me atë të vendeve të rajonit, mesatarja e të cilave qëndron rreth nivelit 36% të PBB-së.

Gent Sejko: Rritja e qëndrueshme e të ardhurave publike duhet të kalojë nga një linjë aksioni, e cila duhet të synojë fillimisht reduktimin e informalitetit dhe më tej të shikojë hapësirat për thjeshtimin dhe drejtpeshimin e barrës tatimore, midis kategorive të ndryshme ekonomike dhe shtresave sociale.

Sa i përket politikës fiskale, Sejko thotë se është në linjë me kahun e politikës monetare për uljen e inflacionit.

Gent Sejko: Ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale mundëson një kthim më të shpejtë dhe me kosto më të ulëta të inflacionit në objektiv. Në gjykimin tonë, nivelet e larta të inflacionit kanë qenë dhe mbeten sfida prioritare e politikave tona ekonomike.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë ekonomia shqiptare pritet të rritet rreth nivelit 3.5% gjatë vitit aktual dhe të shënojë rritje të mëtejshme gjatë vitit të ardhshëm.

Tv Klan