“Politikat monetare nuk do çojnë në recension”

Inflacioni vazhdon të përbëjë kërcënimin kryesor ndaj stabilitetit makroekonomik, si dhe ndaj rritjes së qëndrueshme e afatgjatë të ekonomisë së Shqipërisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, teksa mori pjesë në hapjen e workshop-it të kërkimeve theksoi se kjo ndikohet kryesisht nga rritja e çmimit të energjisë dhe produkteve të tjera në tregjet ndërkombëtare.

Gent Sejko: Shqipëria përballet me sfidën e rritjes së çmimeve ndërkombëtare të energjisë dhe produkteve bazë në tregjet ndërkombëtare, shtrëngimin e kushteve financiare te partnerët kryesorë dhe në tregjet globale, të cilat me gjasa do të vazhdojnë dhe do të shoqërohen me ngadalësimin ekonomik në Evropë.

Ai nënvizoi se presionet e huaja të çmimeve të mbështetura nga kërkesa e brendshme e qëndrueshme tashmë po rrisin kostot e prodhimit dhe po ushqejnë inflacionin e mallrave dhe të shërbimeve të prodhuara në vend.

Gent Sejko: Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një proces normalizimi gradual të politikës monetare, duke siguruar që shpejtësia e normalizimit do të kthejë inflacionin në objektiv, brenda një periudhe kohore të arsyeshme dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin ekonomik. Mbiçmimi i monedhës sonë ndaj asaj evropiane ka ndihmuar në përpjekjet tona për të kontrolluar dhe përmbajtur inflacionin.

Projeksionet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do të çojë ekonominë në recension dhe se ajo do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm.

Tv Klan