Banka Botërore: Shqipëria e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike

 “Klima, Makroekonomia dhe Financat: Risqet dhe ndikimet që i shoqërojnë”, ishin në fokus të eksperteve, përfaqësueve të Bankës së Shqipërisë dhe atyre të Bankës Botërore. Në fjalën e tij Guvernatori Gent Sejko theksoi se krahas strategjisë klimatike, në vëmendje mbetet edhe modernizimi e digjitalizimi i tregut.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që përkrahja e financave të qëndrueshme nuk është vetëm mbrojtje për investimet tuaja, por edhe një investim për mirëqenien tonë të përbashkët. Angazhimi për ndryshim transformues fillon brenda institucioneve tona, në mënyrë që falë bashkëpunimit të përmbushim premtimin për arritje të mëdha të përbashkëta. Si bankë qendrore, jemi të përkushtuar të vendosim standardin dhe të japim shembullin për aktorët në treg. Krahas implementimit të strategjisë klimatike, do të vazhdojmë dhe rrugën drejt modernizimit dhe digjitalizimit të tregut e sistemeve të pagesave, me qëllim jo vetëm nxitjen e përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike në ekonominë shqiptare, por edhe kontributin në financat e gjelbra”.

Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Botërore për Shqipërinë shprehet se vendi ynë futet tek lista e shteteve me risk të lartë sa i përket ndryshimeve klimatike.

“Ndryshimet klimatike janë një realitet të cilin që po e ndeshim çdo ditë e më shumë. Shqipëria më duhet të them se futet tek një nga vendet me ekspozim dhe risk të lartë sa i përket ndryshimeve klimatike në Europë. Këtë fenomen e shohim çdo ditë dhe më duhet të them se vetëm sa vjen e përkeqësohet edhe më tej. Për t’i bërë ballë këtyre situatave duhet të përdorim instrumentet dhe kapacitetet financiare. Mbi të gjitha duhet të bëjmë një listë risqesh prioritare për situatë të tilla, ndaj dhe sektori financiar ka një rol thelbësor në problemet që lidhen me ndryshimet klimatike”.

Banka e Shqipërisë nënvizon se është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për të udhëhequr avancimin drejt financave të gjelbra dhe kontributin në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Klan News