Skenarët e BSH në rastet e goditjes së bankave

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko thotë se sistemi bankar i vendit tonë është i mirëkapitalizuar dhe i aftë për të përballuar çdo lloj goditje.

Gjatë konferencës së 13-ë të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, kreu i Bankës Qendrore sqaroi se në të gjithë analizat dhe skenarët e goditjeve që ka realizuar Banka e Shqipërisë, sektori bankar rezulton i qëndrueshëm.

“Me gjithë vështirësitë e hasura, ekonomia jonë ka regjistruar norma pozitive rritjeje dhe sistemi ynë bankar ka qenë i qëndrueshëm. Sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, kreditë me probleme janë ulur dhe bankat po vazhdojnë ta mbështesin aktivitetin ekonomik me kredi, ndërkohë që menaxhojnë edhe goditjet e mundshme që burojnë nga sektori i jashtëm i ekonomisë.”

Në studimet e Bankës së Shqipërisë, ku analizohet mënyra se si reagon sektori bankar gjatë një goditje të mundshme gjetjet kanë konstatuar këtë:

“Në përgjithësi, rezultatet e provave tregojnë se sektori bankar mbetet i kapitalizuar dhe me performancë të mirë në skenarët që përmbajnë supozime me probabilitet ndodhjeje më të lartë. Në skenarët më ekstremë, banka të veçanta dhe sektori bankar në tërësi do të kishin nevojë për rritje të kapitalit.”

Kredia e dhënë për blerjet e banesave në qarqet Tiranë dhe Durrës, kap vlerën e 710 milionë eurove, ndërsa nuk dihet ende se sa nga ky portofol ka patur si kolateral pasuritë e patundshme që janë prekur nga tërmeti. Deri tani rezultojnë 6680 shtëpi të pabanueshme nga tërmeti dhe 558 pallate.

Tv Klan