Sejko: Sfidat e ekonomisë çmimet e larta dhe inflacioni


Sejko: Sfidat e ekonomisë çmimet e larta dhe inflacioni

22:54 20/09/2022

Guvernatori pret zv/Presidentin e BERZH: Banka e Shqipërisë po merr masa për t’i përballuar shqetësimet

Çmimet e larta dhe ecuria e inflacionit janë vetëm disa prej problematikave me të cilat po përballet ekonomia shqiptare. Këto të shprehura dhe nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë një takimi me Zëvendës presidentin e BERZH Mark Bowman.

Lidhur me këto problematika tha Sejko, Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet instrumentit të politikës monetare për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend si dhe për minimizimin e pasojave që goditja e çmimeve mund të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Ai u shpreh se parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje në horizontin afatmesëm, pavarësisht ambientit të jashtëm sfidues dhe efekteve të tij.

Zëvendës presidenti i BERZH-it vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe më në veçanti me sistemin bankar në vend, duke sjellë në jetë projekte shumë të suksesshme dhe me vlerë të shtuar për Shqipërinë.

Ai shtoi se BERZH-i do të vazhdojë të mbetet një partner kryesor dhe do të ofrojë mbështetje në fusha kyçe të ekonomisë së vendit. Gjatë vitit 2022, BERZH-i pritet të investojë rreth 200 milionë euro, veçanërisht për financimin e projekteve të sektorit privat.

Klan News












Të ngjashme