Shërbimi bankar do të zgjerohet edhe në  zonat rurale për të lehtësuar transkasionet financiare që kanë të bëjnë me remitancat. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko  tha se projektligji për shërbimet e pagesave pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe reduktimin e kostove për paratë e dërguara nga emigrantët.

Gent Sejko, Guvernator i BSH:

Projektligji vlerësohet të rrisë transparencën në shërbimet e ofruara nga tregu dhe në krijimin e një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, një përbërës ky mjaft i rëndësishëm për tregun tonë. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, projektligji synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin (përfshirë dhe zonat rurale. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemeve të Pagesave kanë miratuar dhe vënë në zbatim tashmë strategjinë kombëtare për tregun e pagesave me vlerë të vogël.

I pranishëm takimin e zhvilluar në kuadër të  memorandumit të mirëkuptimit për remitancat,  nënshkruar vitin e kaluar, Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko tha se edhe pse krahasuar me vitin 2007 ka një ulje me 27 % të remitancave që vijnë nga jashtë, sërish ato mbetet më të larta se investimet e huaja në vendin tonë.

Pandeli Majko Ministri i Shtetit për Diasporën:

Në Shqipëri shumat që hyjnë nga remitancat është shumë më e lartë se ajo e investimeve të huaja. Ato mund të kthehen në histori suksesi për ekonominë e vendit.

Sipas Majkos kjo ulje e dërgesave pas 2007 ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike që përfshiu rajonin si dhe  liberalizimin e vizave.

Tv Klan