Bizneset: Të na jepet kredia e garantuar. Bankat: Ka kushte

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha se situata ekonomike ku ndodhet vendi për shkak të pandemisë është më e vështirë në dy dekadat e fundit duke përbërë një sfidë të madhe për të gjithë aktorët: biznesin, bankat dhe autoritetet publike.

“Ekonomia shqiptare pritet të pësojë një rënie të fortë të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020, në përmasa të cilat nuk i kemi përjetuar gjatë dy dekadave të fundit. Ajo do të shoqërohet me rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave dhe vështirësi financiare për bizneset e familjet”.

Në një takim me drejtues të sistemit bankar në vend dhe Unionin e Dhomave të Tregtisë, kreu i bankës qëndrore tha se një pjesë e bizneseve ndodhen në kushtet e ekzistencës dhe se duhet të ndihmohen nga sektori bankar përmes linjave të shpejta të kredisë për ndërmarrjet e shëndetshme dhe me ristrukturim të kredive për sipërmarrjet në vështirësi. Por po ashtu Guvernatori u kërkoi sipërmarrjeve sinqeritet për situatën e tyre dhe që të mos lenë gjithë peshën te sektori bankar.

“Biznesi shqiptar duhet të tregohet transparent dhe luajal me sektorin bankar. Ky sektor duhet të ofrojë ndihmën e tij në përballimin e krizës, por ai nuk mund ta përballojë i vetëm faturën financiare të saj”.

Bizneset thanë se kanë patur përgjysmim të të ardhurave dhe rënie të shitjeve me 70%, ndërsa deri më sot janë mbi 60 mijë persona që janë pushuar nga puna. Ines Muçostepa tha se presin paketën e tretë të qeverisë, ndërsa kërkoi nga bankat që të lëvrojnë kreditë për paga.

Kreu i Shoqatës së Bankave tha se jo të gjithë mund të përfitojnë nga garancia sovrane, pasi ato janë paratë e taksapaguesve dhe bizneset me kredi të këqija përjashtohen, për shkak të rregullave që ka miratuar qeveria.

“Duhet të analizojmë dhe të gjejmë zgjidhje rast pas rasti, na duhet kohë të analizojmë edhe një shtyrje të mundshme të pagesës së kësteve, por na duhet kohë. Sektori bankar nuk mund të mund të negociojë stabilitetin e vetë sistemit. Duhet të bëjmë diçka për të nxitur kredidhënien dhe të mos harrojmë se të gjithë jemi në të njëjtën varkë”.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, biznesi ka qenë me likuiditet të lartë gjatë vitit të shkuar, ndërsa depozitat në sistemin bankar të tij ishin sa 12% e prodhimit kombëtar, por disa herë më të ulta se kredia që ky sektor ka në sistemin bankar.

Tv Klan