Risitë teknologjike po ndryshojnë sistemin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët.

Në forumin e biznesit ”E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni, shërbimet financiare shqiptare në 2025 dhe më tej, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se transformimi dixhital ka sjellë mundësi të reja për rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare dhe rritjen e përfshirjes së popullatës në financë.

“Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike”, shprehet Sejko.

Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave po rritet dyfish, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë.

“Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015”, shprehet Sejko.

Sipas Guvernatorit Sejko, tashmë shumica e popullsisë është e përfshirë në sistemin financiar, pasi aktualisht 78 % e popullsisë zotëron një llogari financiare.

Tv Klan