Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të shtunën se do të shkojë në Azi për të konsodoliduar bashkëpunimin me aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe forcuar “masat frenuese” ndaj Kinës.

Zoti Austin niset nga Havai, ku ndodhet komanda ushtarake amerikane për rajonin e Indi-Paqësorit, për vizitat e tij të para si kreu i Pentagonit.

“Bëhet fjalë për aleancat dhe partneritetet”, u tha ai gazetarëve që e shoqërojnë gjatë udhëtimit, ku do të zhvillojë takime me aleatët kyçë në Tokio, New Delhi dhe Seul.

“Ka të bëjë edhe me rritjen e kapaciteteve”, shtoi ai, duke thënë se ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të përqendruara tek përpjekjet anti-xhihadiste në Lindjen e Mesme, Kina po modernizonte me një ritëm të shpejtë ushtrinë.

“Epërsia konkurruese që kishim, është tkurrur. Ne vazhdojmë ta kemi epërsinë dhe do ta thellojmë atë”, tha ai.

“Synimi ynë është të sigurohemi që të kemi aftësitë dhe planet operacionale … të jemi në gjendje të ofrojmë një frenim të besueshëm ndaj Kinës dhe kujtdo tjetër që sfidon Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari i Mbrojtjes.

Në Tokio dhe Seul, zoti Lloyd do të jetë së bashku me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken.

“Një nga gjërat që duam të bëjmë unë dhe Sekretari i Shetit është të fillojmë forcimin e këtyre aleancave. Synimi është kryesisht të dëgjojmë dhe të mësojmë, të shohim këndvështrimin e tyre”, tha ai.

Ky turne në Azi i krerëve amerikanë të diplomacisë dhe të mbrojtjes pason një takim të pashembullt të Katërshes, një aleancë informale e krijuar në vitet 2000 si kundërpeshë ndaj Kinës.

Zoti Blinken do t’i bashkohet këshilltarit të sigurisë kombëtare të presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, në Ankorazh më 18 mars për bisedime me homologët e tyre kinezë, Wang Yi dhe Yang Jiechi.

Bisedimet e Alaskës do të jenë të parat mes dy fuqive që kur zoti Yang u takua me ish-Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo në qershor në Havai./VOA