“Hija” e ndikimit rus në referendumin për emrin në Maqedoni, solli në një vizitë zyrtare në Shkup një tjetër figurë të rëndësishme ndërkombëtare, Sekretarin amerikan të mbrojtjes, Xhejms Matis. Shefi i Pentagonit shprehu mbështetjen e plotë për votën popullore të 30 Shtatorit dhe përgëzoi Shkupin dhe Athinën për marrëveshjen e Prespës.

“Referendumi i ardhshëm është vota  më e rëndësishme në historinë e kombit tuaj. Do të vendosni për të ardhmen tuaj. Vota pro do të sjellë siguri të përforcuar dhe më shumë zhvillim ekonomik. Ne jemi të gatshëm t’ju mirëpresim si anëtarja e 30-të e NATO-s”, tha James Matis, Sekretar Amerikan i Mbrojtjes.

Gjatë një deklarate më herët me gazetarët, Matis shprehu shqetësimin për përfshirjen e Rusisë në fushata kundër referendumit. Në të njëjtën linjë me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes është edhe Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, i cili tha se Moska kërkon të pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sikurse bëri me Malin e Zi, ku pati një tentativë për grusht shteti.

Prestigjiozja amerikane “Ne York Times” gjithashtu drejton gishtin nga Rusia, duke e akuzuar për fushata masive online, kundër referendumit.

Tv Klan