“Shqipëria, kontribut për zgjidhjet dhe sfidat me të cilat përballet globi”

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është pritur në një takim të veçantë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres. Kandidatura e Shqipërisë për një vend anëtar jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kontributi i vendit tonë në misionet paqeruajtëse të OKB, kanë qenë temat kryesore të takimit, zhvilluar në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në një njoftim nga zyra për shtyp e MEPJ thuhet se Guterres ka vlerësuar respektimin dhe zbatimin e Rezolutës 1325 si dhe rolin dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në të gjitha misionet e OKB, siç është ai në Sudanin e Jugut, ku vendi ynë prej dy vitesh po kontribuon përmes Forcave të Armatosura. 

Ministrja Xhaçka ka konfirmuar se angazhimi i Shqipërisë do të vijojë e do të shtrihet edhe në nivele e fusha të tjera nën ombrellën e OKB-së. Ajo i ka paraqitur Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, prioritetet e Shqipërisë në tryezën më të lartë vendim-marrëse politike në botë, ku vendi ynë pritet të ulet në Janar 2022, pas votimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB këtë të premte.

“Do të punojmë ngushtë sëbashku për të çuar më tej prioritetet tona të përbashkëta. Urimet më të mira për Sekretarin e Përgjithshëm në rizgjedhjen e tij për një mandat të dytë”, tha ministrja Xhaçka pas takimit.

Më 11 qershor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB do të votohet për 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm: Shqipëria, Gaboni, Gana, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara. Shqipëria shkon në këtë votim si kandidaturë konsensuale e grupit të vendeve të Evropës Lindore.

Gjatë ditëve të qëndrimit në New York, ministrja Xhaçka ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë diplomatikë të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku ka prezantuar prioritetet e Shqipërisë për periudhën 2022 – 2023:

  • – Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme, me theks të posaçëm tek përdorimi i dhunës seksuale si mjet dhe taktikë lufte
  • – Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar.
  • – Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm
  • – Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale.
  • – Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit./tvklan.al