Ministri britanik për Brexit, Dominic Raab dha dorëheqjen një ditë pas miratimit nga qeveria të draft-marrëveshjes për daljen nga Bashkimi Europian. Mbështetës i fortë i shkëputjes nga inioni, në një letër dërguar Kryeministres May, Raab kundërshton ashpër rregulloren e kufirit në ishullin e Irlandës.

“Rregullat e propozuara për Irlandën e Veriut përbëjnë një kërcënim tepër real për integritetin territorial të Mbretërisë së Bashkuar”.

Kryeministrja Theresa May e konsideroi draft-marrëveshjen si zgjidhje tepër të vështirë por të domosdoshme. Por argumentimi i saj përpara Parlamentit shkaktoi reagime të forta mes deputetëve.

“Është një draft-marrëveshje që parashikon se ne do të dalim nga BE në një mënyrë të butë e të thjeshtë më 29 Mars 2019”.

Kryeministrja britanike nuk siguron dot shumicën prej 318 votash për miratimin e saj brenda Dhjetorit. Publikisht marrëveshjen e kanë mbështetur vetëm 230 deputetë prej 650 të Dhomës së Përfaqësuesve. Bashkimi Europian përshëndeti vendimin e qeverisë britanike, duke njoftuar mbledhjen më 25 Nëntor të një samiti të përbashkët mes Londrës dhe Brukselit.

Tv Klan