Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Priti Patel ka fituar në rrugë ligjore luftën e saj ndaj një bosi të krimit të organizuar, i cilit siç shkruajnë mediat, është shqiptar. Daily Mail shkruan se Patel i ka hequr të drejtën gangsterit shqiptar që të jetojë në Britani pasi ka bindur gjykatën se ky person është një rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve britanikë.

Mediat i referohen shqiptarit si “B9” dhe nuk e kanë publikuar identitetin e tij. Një raport i Komisionit të Apelimit të Emigracionit ka zbuluar rolin e “B9” në rrjetin kriminal që ka shpërndarë drogë të klasit A në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu, mediat shkruajnë se 36-vjeçari është përfshirë në trafik njerëzish, pastrim parash dhe prodhim kanabisi.

I njohur për dhunën, “B9”mendohet se ka vrarë me thikë një shtetas bullgar në një klub nate. Më vonë, atij i janë gjetur pamje duke pozuar me një kallashnikov. Detektivët kanë zbuluar se 36-vjeçari shqiptar është takuar me përfaqësues krimi dhe ka përdorur teknika udhëtimit kundër survejimit, duke rritur e më pas ulur shpejtësinë.

Këtij qytetari iu dha karta e rezidentit në vitin 2017, mirëpo tashmë mendohet se jeton në Tiranë. Ai mohon që të jetë përfshirë në krim. Sipas mediave britanike, ky rast ka ekspozuar influencën e jashtëzakonshme të krimit të organizuar. “Ne mendojmë që ky person ka qenë anëtar i lartë i një grupi kriminal i përfshirë në krime serioze në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Chris Farrimond, zv/drejtor i hetimeve në Agjencinë Kombëtare të Krimeve./tvklan.al