Skandali, SPAK nis hetimet: Xhirimi në 16 Qershor në bashkinë e Kukësit
Nje video 2 minutëshe e shpërndarë në rrjetet sociale mëngjesin e së Premtes përfshin në një skandal seksual kryetarin e bashkisë së Kukësit.
I sapozgjedhuri për një mandat të dytë në krye të bashkisë së qytetit verior është filmuar nga një kamera spiune pasditen e 6 Qershorit të këtij viti.
Klan Neës ka parë videon e shpërndarë në rrjetet sociale. I veshur me një bluzë gurkali me mëngë të shkurtra, Safet Gjici shfaqet duke kryer aktin seksual pranë tavolinës së punës. Imazhet e mëpasshme tregojnë kryetarin e bashkisë bashkë me një femër të veshur me një bluzë të zezë duke shfaqur në këmbë përballë kameras, duke hequr çdo fije dyshimi për identitetet e tyre apo montime të mundshme.
Pamjet e plota të videos të krahasuara me imazhe të mëparshme të takimeve apo konferencave të zhvilluara nga Safet Gjici konfirmojnë se veprimet kryhen në zyrën e tij në Bashkinë e Kukësit.
Pikërisht kjo duhet të ketë qenë arsyeja që mesditën e djeshme, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka nisur hetimin kryesisht ndaj kryebashkiakut të rizgjedhur të Kukësit.
Kamera e cila mendohet se është vendosur në një çantë mbi tavolinën e madhe ku zhvillonte takimet, filmon të gjithë pjesën ballore të zyrës aty ku ndodhet edhe tavolina e punës së kryebashkiakut. Pamjet janë marrë në 6 Qershor, në orën 16.00.
Ky është skandali i dytë seksual që përfshin një kryebashkiak socialist. Në vitin 2016, ishte kryetari i bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, ai i cili u denoncua nga një 20 vjeçare, pasi i kishte kërkuar asaj favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Si provë kundër Shukri Xhelilit ishte një video-regjistrim i cili e implikonte atë në aferën seksuale në këmbim të punësimit.
Video skandali i Safet Gjicit duket se nuk do kalojë pa pasoja për të. Ai ende nuk ka reaguar për ngjarjen. Burimet thonë se pritet një dorëheqje e tij. E në rast se ajo nuk do të ndodhë shpejt, atëherë do të jetë kryeministri Rama që do firmosë shkarkimin e Gjicit nga detyra për t’ia lënë më pas SPAK në dorë që të ngrejë akuzat ndaj kryebashkiakut socialist.
Klan News