Eventi “Match Maker Albania 2025” u shndërrua në një nga ngjarjet më të rëndësishme për ekonominë shqiptare, duke bashkuar investitorë të huaj me biznese lokale, veçanërisht eksportues.

Marios Belibassakis, drejtor i Zyrës së Çështjeve Ekonomike dhe Tregtare të Ambasadës Greke, vlerësoi klimën e biznesit në Shqipëri si gjithnjë e më të favorshme, duke theksuar se përmirësimet në mjedisin investues janë një faktor kyç që tërheq kompani të mëdha ndërkombëtare.  

Në intervistën për “Pro Business” në Tv Klan ai identifikoi katër sektorë prioritarë për investitorët grekë: energjia e rinovueshme, materialet e ndërtimit, ndërtimi dhe turizmi, duke përmendur edhe rastet e kompanive greke që kanë zgjeruar aktivitetin në Shqipëri për shkak të kërkesës në rritje të tregut.

Nga ana e tyre, investitorët turq, të përfaqësuar nga Muhammet Işler, kryetari i MÜSİAD Shqipëri, shprehën interes të fortë për sektorët e turizmit, mjekësisë dhe bujqësisë, duke parashikuar projekte të mëdha në të ardhmen e afërt.

Ndërkohë, prodhuesit shqiptarë theksuan se cilësia, transparenca dhe gjurmueshmëria e produkteve janë faktorë vendimtarë për konkurrencën në tregjet europiane. Sipas tyre, përmirësimi i standardeve dhe reformat e vazhdueshme janë thelbësore për një integrim të suksesshëm në ekonomi globale./tvklan.al