Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar lajmit se SPAK ka sekuestruar pasurinë e 3 ish-gjyqtarëve të cilët nuk kishin mundur të justifikonin pasurinë.

Diplomatja amerikane thotë se Reforma në Drejtësi po jep rezultat.

“Gjykata Speciale pranoi kërkesën e SPAK për të sekuestruar pasuritë e dy ish-gjyqtarëve të Kushtetueses dhe të një ish-gjyqtari të Gjykatës së Lartë, të cilët nuk kaluan Vettingun për fshehje pasurie. Reforma në Drejtësi  nuk do të jetë e shpejtë, as e lehtë apo perfekte, por po ecën përpara hap pas hapi”, deklaron ambasadorja Kim.

SPAK sekuestroi pasurinë e Fatos Lulo, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish-Kryetar në Gjykatën Kushtetuese dhe Shkëlzen Selimi, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Prokuroria e Posaçme bën me dije se nga hetimi rezultoi se ata kishin të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. /tvklan.al