Arrestohet shoferi, kaloi tranzit nga Kapshtica

Një kamion me 2 ton kanabis është kapur në Podgoricë të Malit të Zi. Ngarkesa me lëndë narkotike dyshohet se kishte destinacion Gjermaninë dhe kishte hyrë në Mal të Zi mëngjesin e së martës përmes kufirit të Hanit të Hotit.

Kamioni me kanabis kishte kaluar tranzit në Shqipëri pasi kishte hyrë nga Greqia përmes Kapshticës dhe nuk është e qartë se ku është ngarkuar droga në nisje në Greqi apo gjatë kalimit në territorin shqiptar.

Në një njoftim për mediat, policia tha se “pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, ka dërguar në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e origjinës se nga është marrë lënda narkotike”.

Kamioni me targa shqiptare dhe që drejtohej nga shtetasi me iniciale E.C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek.

Gjatë ndalimit të kamionit në Mal të Zi është bërë i mundur dhe arrestimi i shoferit. Policia dhe prokuroria shqiptare kanë nisur hetimet nëse kamioni ka kaluar në skanerin doganor.

Tv Klan