Paratë nuk ishin deklaruar në aeroportin e Rinasit dhe portin e Durrësit

Tre raste të mos deklarimit të parave dhe mallrave, u goditën nga Policia Kufitare. Në aeroportin e Rinasit, një 48-vjeçari nga Greqia, por banues në Londër, iu gjetën 15 mijë paund dhe 570 euro të padeklaruara. Shtetasi grek u procedua në gjendje të lirë dhe iu sekuestruan shumat e parave.

Po në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit u arrestua një tjetër 48-vjeçar, shtetas rumun pasi iu gjetën 1490 paketa me cigare, të padeklaruara në pikën kufitare. Cigaret ishin fshehur në valixhet e tij, dhe të bashkëshortes. Kjo e fundit u procedua në gjendje të lirë.

Policia e Shtetit deklaron se në Portin e Durrësit gjatë kontrollit të një automjeti tip “Iveco” u gjetën rreth 20 mijë euro të padeklaruara. Edhe këto para u sekuestruan ndërsa drejtuesi i mjetit po hetohet në gjendje të lirë.

Paratë e bllokuara në Rinas dhe Portin e Durrësit nuk janë të vetmet për këtë vit. Prej janarit policia kufitare ka arritur të bllokojë edhe 50 mijë euro të tjera dhe 20 mijë paund, që gjithashtu nuk ishin deklaruara nga poseduesit.

Ndërsa shifra të larta u sekuestruan edhe gjatë vitit të shkuar. Në 2023, policia kufitare goditi 87 raste të mos deklarimit të të hollave, që përkoi me sekuestrimin e 2.6 milionë eurove. Rastet që janë evidentuar më shumë janë në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Klan News