Ngarkesa u bllokua në portin e Ankonës

Të paktën 25 tonë mbetje janë bllokuar nga karabinierët dhe autoritetet doganore italiane në portin e Ankonës. Bëhet fjalë për këtë trajler të ndaluar në 4 Shkurt, të ngarkuar me 205 lavatriçe, 22 furra, frigoriferë dhe të tjera pajisje elektroshtëpiake që sipas autoriteteve ishin jashtë funksionit.

Ajo që ka nxitur dyshimet e hetuesve italiane ishte mungesa e dokumentacionit shoqërues për ngarkesën.

Në një njoftim të karabinierisë italiane thuhet se 4 persona janë vënë nën akuzë për trafik të paligjshëm të mbetjeve. Të ndaluarit janë një shqiptar, një italian dhe afrikano-verior ndërsa i katërti do të hetohet në gjendje të lirë. 

Sipas autoriteteve italiane, një ngarkesë e ngjashme u konfiskua edhe në 14 Shkurt në të njëjtin port. Mbetjet ishin pajisje elektrike dhe elektronike, madje disa prej tyre të konsideruara të rrezikshme pasi bëhej fjalë për kabina për sistemin e kondicionimit industrial; transformatorë energjie, etj që ishin të papërdorshëm. Nuk dihet ende cilët ishin pritësit e ngarkesës në Shqipëri.

Pak ditë më parë në portin e Vlorës, policia ndaloi një ngarkesë në tragetin e linjës së Barit të cilën e konsideroi si të rrezikshme për ambientin dhe jetën e qytetarëve. 6 persona u vunë në pranga ndërsa hetimet vazhdojnë edhe pse nga raporti i parë nuk rezultoi që ato të ishin radioaktive. 

Tv Klan