Një sasi e madhe eurosh u sekuestrua nga autoritetet në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për një shumë prej 294 030 eurosh, të cilat u zbuluan gjatë kontrollit të dy kamionëve që transportonin mjete nga Italia drejt Shqipërisë. Në një njoftim për mediat, policia thotë se në pranga përfundoi drejtuesi i një prej mjeteve, aty ku u zbulua shuma më e madhe e parave. Ndërsa shoferi tjetër u procedua penalisht. Gjithashtu, në kërkim u shpall pronari i firmës që merrej me transportin e mjeteve, i cili akuzohet për pastrim parash.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës në bashkëpunim me strukturat doganore, janë kaluar në vijën e dytë për kontrroll të imtësishëm 2 mjete tip kamion, të cilët transportonin mjete Itali-Shqipëri, me drejtues shtetasit F. M., dhe A. L. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP, shërbimet e Policisë Kufitare dhe strukturat doganore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M., gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme të mjetit një sasi vlere monetare prej 282 265 eurosh”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.

Kështu, në pranga ra shoferi 29-vjeçar me iniciale F. M., banues në Lezhë. Ai akuzohet për mosdeklarim të të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi. Ndërsa shoferit tjetër, 34-vjeçarit A. L., iu gjet një sasi prej 11 765 eurosh, të cilat i kishte futur në çantën personale. 34-vjeçari me banim në Lushnje u procedua penalisht, po për mosdeklarim të të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi.

“Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. J., 36 vjeç, (pronari i firmës që bënte transportin e mjeteve), për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, thotë më tej policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al