Një sasi prej 671 kg drogë janë sekuestruar nga Policia e Vlorës. Lënda narkotike është gjetur tek depot e Valanidhit në zonën e Karaburunit, raporton ABC News.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në disa çanta në breg të detit dhe dyshohet se do të trafikohej drejt Italisë. Në prangat e policisë ra Benardo Nezhaj 29 vjeç, nga Dukati i Ri në Orikum. Në të njëjtin vend, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan edhe 200 litra benzinë në 8 bidona plastikë.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Strukturat Policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Delta Forcë kanë zhvilluar operacionin e koduar ”Karaburuni”, në të cilin kanë goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi: Benardo Nezhaj, 29 vjeç, banues në Dukat i Ri, Orikum.

U krye arrestimi i tij pasi në Gadishullin e Karaburunit, në vendin  e quajtur “Depot e Valanidhit, iu gjetën dhe sekuestruan 671 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe 200 litra benzinë në 8 bidona plastik.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerë shtetasve të përfshirë në ketë veprimtari antiligjore.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.

/ tvklan.al