3.9 kg heroinë, një armë zjarri, shkop gome, doreza metalike elektrike, neutralizues etj, u sekuestruan nga autoritetet policore në Tiranë në një operacion antidrogë. Në pranga përfunduan dy të rinj, të moshës 23 dhe dhe 18 vjeç.

Të arrestuarit janë K. B., 23 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe D. Ll., 18 vjeç, të dy të lindur në Berat dhe banues me qira në Tiranë.

“Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në afërsi të stadiumit Dinamo kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin K. B. dhe gjatë kontrollit të tij, në një çantë krahu që mbante, në xhepin e brendshëm është gjetur një qese transparente, brenda së cilës kishte lëndë të dyshuar heroinë.

“Në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u ushtrua kontroll në banesën e tij me qira në rrugën “Gjin Gjergji” dhe nga kontrolli i ushtruar u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet, një armë zjarri pistoletë tip TT me dy krehëra metalik dhe 21 fishekë, një shkop metalik me hapje, si ato të punonjësve të policisë, një sasi lënde narkotike në formë të ngurtësuar, e dyshuar heroinë”, thotë policia në një njoftim për mediat./tvklan.al