Sekuestrohen 12 milionë euro pasuri në Fier

Sekuestrohen 12 milionë euro pasuri në Fier

12:00 04/11/2019

Arjan Shanaj i arrestuar në Greqi për trafik kokaine

12 milionë Euro pasuri iu sekuestruan një 54-vjeçari nga Fieri, i arrestuar në Greqi për trafik kokaine. Prokuroria, në bashkëpunim me policinë kanë vënë nën sekuestro pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të Arjan Shanajt, me dyshimin se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.

Shanaj është arrestuar në Qershor të 2017-s së bashku me një shtetas grek, pasi u kapën në shtetin fqinj me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt rreth 800 000 euro.

Në sajë të hetimeve rezulton se këta persona merreshin me importimin e kokainës nga vende të Amerikës Latine. Përpunimi dyshohet se bëhej në Shqipëri e Kosovë, e më pas droga shpërndahej në zonat e pasura të Athinës, apo në ishujt e njohur grekë, si ai i Santorinit.

Shanaj u arrestua së bashku me grekun Sakis Karaxunis. Pas kësaj, prokuroria në bashkëpunim me policinë kriminale në qytetin e Fierit nisën hetimet për pasuritë e Shanajt.

Ndër pasuritë e sekuestruara janë 3 shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj, 1 hotel trekatësh në Fier,  2 vila trekatëshe, apartamente, 8 793 metër katror tokë në Tiranë, Durrës e Fier dhe disa garazhe.

Policia thekson se Shanaj prej vitesh ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike nga vendi ynë në drejtim të Turqisë.

Ai është një emër i njohur për Policinë Shqiptare pasi është arrestuar në 2014-n në kryeqytet, teksa u kap me dy pistoleta që i mbante pa leje. Dy vite më vonë u shpall në kërkim pasi dhunoi një dhe kanosi me jetë një person.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi