38 mijë Euro dhe 10 milionë Lekë u gjetën në llogaritë bankare të dy kompanive që kishin porositur 613 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit. Policia tha se paratë u sekuestruan në kompanitë që i përkasin Arbër Çekajt, personi kryesor i akuzuar për porositjen e kokainës nga Kolumbia.

Paratë dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shtetasve të ndaluar nga policia.

“Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, po vijon hetimet intensive për këtë grup të dyshuar që operonte në fushën e trafikimit të drogave të forta”,

thuhet në njoftimin e policisë.

Në Shkurt të këtij viti policia sekuestroi 613 kg kokainë gjatë një operacioni të koduar me emrin “Last Snow”. Droga ishte fshehur në një kontenier me shtresë të dyfishtë, të ngarkuar në një kamion me banane që do të shkarkohej në një magazinë në Maminas, në pronësi të kompanisë “Arbri Garden”. Kamionisti Armando Pezaku si dhe Donald Lushaj, u arrestuan në flagrancë. Ata u lanë në burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Ndërsa Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden” në kamionët e së cilës u kapën 613 kg kokainë më 28 Shkurt, u arrestua në një zonë pranë Dyseldorfit në Gjermani.

Autoritetet shqiptare pritet të nisin procedurat e ekstradimit të tij në drejtim të vendit tonë.

Çekaj akuzohet per trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, por ai e ka mohuar përfshirjen në trafikun e kokainës.

Tv Klan