Pronat në emër të Ilia Ziut dhe familjarëve të tij

Disa pasuri me vlera të konsiderueshme, i janë sekuestruar një 44-vjeçari të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për 10 pasuri të paluajtshme, konkretisht 2 pasuri të llojit arë, 4 apartamente, 2 poste parkimi, 1 dyqan dhe 1 makinë.

Këto pasuri rezultojnë në pronësi të Ilia Ziut, i cili i kishte vendosur edhe në emër të familjarëve të tij, për të humbur gjurmët.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Vlorës ka dyshime të arsyeshme se kjo pasuri është ngritur me të ardhura të paligjshme, ndaj deri në përfundim të hetimeve janë vënë nën sekuestro preventive.

Organi i akuzës së Vlorës i ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të sekuestros shërbimeve të policisë gjyqësore, agjencisë së administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, agjencisë shtetërore të Kadastrës dhe Drejtorisë së Transportit Rrugor.

44-vjeçari Ziu është arrestuar në Tetor të 2014, së bashku me dy persona të tjerë pasi në mjetin e tyte tip “Toyota Rav 4”, iu gjetën një sasi e konsiderueshme kanabis dhe 11.670 Euro. Ndalimi i tyre u krye në kuadër të operacionit të koduar “Devria” në qafën e Devrisë në Skrapar.

Tv Klan