Policia Kriminale ka sekuestruar rreth 1.5 milionë euro pasuri të Admir Muratajt, i vrarë gjatë grabitjes së ndodhur në Aeroportin e Rinasit më 9 Prill, si dhe familjarëve të tij.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit thotë se sekuestrimi i pasurive të Muratajve, u bë në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Kështu, autoritetet sekuestruan një vilë 3 katëshe në Prezë, Tiranë, me një sipërfaqe totale ndërtimi 300 m2, tokë truall me sipërfaqe 600.3 m2 e ndodhur afër Saukut, garazh me sipërfaqe 23 m2, blerë në vitin 2016, apartament me sipërfaqe 100.5 m2, tokë truall, të gjitha në emër të Admir Muratajt. U sekuestrua gjithashtu një apartament banimi në Sarandë, i porositur në datë 05.07.2012 tek një shoqëri ndërtimi, kundrejt shumës 90 000 euro,  9 automjete të llojeve të ndryshme, relativisht të shtrenjta, si dhe një apartament me sipërfaqe 71 m2, në emër të bashkëshortes së Muratajt, Albana Alidhima.

Policia thotë se pasuritë e sekuestruara janë lënë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ndërkohë vijon puna për identifikimin e pasurive dhe aseteve të tjera që kanë këta persona, por që nuk i kanë të regjistruar në emër të tyre.

Admir Murataj mbeti i vrarë më 9 Prill pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, pasi grupi i tij grabiti 6.5 milionë euro në pistën e Rinasit. Për këtë ngjarje janë arrestuar 7 persona. /tvklan.al