Droga prodhohej nga rebelët majtistë në Kolumbi

5.5 ton kokainë u sekuestruan nga ushtria kolumbiane gjatë një operacioni në jug të vendit. Sasia është ndër më të mëdhatë e sekuestruara vitet e fundit dhe sipas autoriteteve, droga ishte prodhuar në një kompleks të madh për prodhimin e kokainës të drejtuar nga rebelët majtistë të grupit të quajtur “Ushtria për Çlirimin Kombëtar”.

Sipas autoriteteve, sasia mund të ndahej në të paktën 12 milionë doza. Kompleksi ku u sekuestrua kokaina siguronte çdo muaj të ardhura deri në 8 milionë Dollarë nga shitja e lëndëve narkotike. Kolumbia është një ndër vendet kryesore të prodhimit të kokainës në botë.

Sipas Zyrës për Kontrollin e Drogës në Shtetet e Bashkuara, hapësira e mbjellë me bimë narkotike për prodhimin e kokainës po zgjerohet me ritme të shpejta dhe çdo vit. Gjatë vitit të kaluar u prodhua mbi 1 mijë tonë kokainë.

Presidenti Ivan Duke shpalli si prioritet luftën kundër drogës, kur mori postin në vitin 2018. Por përpjekjet e tij për të luftuar grupet e trafikantëve kanë ashpërsuar betejën e armatosur mes tyre dhe forcave të policisë e ushtrisë, duke shtuar viktimat nga të dyja radhët.

Javën e kaluar, trafikantët qëlluan me armë edhe helikopterin e presidentit teksa fluturonte në veri të Kolumbisë bashkë me ministrin e brendshëm dhe atë të mbrojtjes. Fatmirësisht ata nuk u lënduan dhe helikopteri u ul normalisht në qytetin e Kukutës.

Tv Klan