Me vendim të Gjykatës së Durrësit, ish – hotel “Vollga”, në të cilin rezulton bashkëpronar Emiljano Shullazi, është vendosur në sekuestro preventive.

Prokuroria e qytetit bregdetar kërkoi sekuestron për shkak të nisjes së hetimeve mbi veprimet e dyshimta, që çuan në regjistrimin e kësaj prone në emër të Emiljano Shullazit.

Organi i hetimit sqaron se kjo pronë është përfituar me kryerjen e veprave penale të

“Falsifikimit të dokumentave”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Hetimet kanë nisur në bazë të kallëzimit të bërë nga shtetasi Zamir Hasa.

Ai e ka trashëguar këtë pronë nga Alie Fortuzi, pinjollja e familjes Fortuzi, kompania e së cilës e ndërtoi hotelin në kohën e pushtimit të Italisë.

Alie Fortuzit, kjo pronë i njihet në vitin 2003, me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por ajo vendos t’ia dhurojë Zamir Hasës, pasi ai ishte i vetmi njeri që ishte kujdesur prej vitesh për të.

Kur Zamir Hasa kërkoi të regjistronte pronën, ai zbuloi se ajo ishte regjistruar në emër të shtetasit arab, Mohamed Abdullah Bavazer.

Hasa iu drejtua gjykatës.

Në Korrit të vitit 2013, pas 10 vjetësh, Gjykata e Lartë urdhëron pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab, në kartelën e pasurisë.

Por Gjykata e Durrësit i njeh të drejtën e pronësisë arabit, i cili e regjistron në emër të kompanisë së tij “Saudi Brother’s Commercial Company”, që e administronte vetë.

Një vit më vonë, në Nëntor të 2014 -ës, ai ia shet një pjesë të pasurisë, për shumën prej 670 mijë eurosh, Fejzi dhe Marjeta Kodrës.

Një muaj pas blerjes, ata ia dhurojnë pronën e tyre Emiljano Shullazit.

Edhe shtetasi saudit ia dhuron në shenjë mirënjohje pjesën e tij Shullazit.

Prokuroria dyshon se Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë patur mundësi financiare të paguanin 670 mijë euro.

Sipas saj, të gjitha këto veprime kanë qenë të dyshimta.

Këto veprime të dyshuara antiligjore, thotë Prokuroria, shtrihen në zyrën Hipotekore, zyrat noteriale, por edhe në Gjykatën e Durrësit.

Për Gjykatën, Prokuroria përmend faktin se ajo ka marrë vendim për t’ia njohur pronën arabit Bavazer, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë lidhur me këtë objekt.

Organi i akuzës sqaron se grupi kriminal i Shullazit, e ka kaluar ish – hotelin e famshëm në pronësi të këtij të fundit, nëpërmjet kanosjes dhe dhunës.

Pjesë e kërcënimeve për këtë pronë janë bërë dhe drejtuesit dhe punonjësit e hipotekave, në Durrës dhe Tiranë, të cilët e kanë regjistruar pronën në kundërshtim me ligjin dhe procedurat.

Derisa hetimet të përfundojnë, kjo pronë nuk mund të shitet, të prishet apo të ndërtohet mbi të.

Xhevahir Zhabina/Tv Klan