Sekuestrohet 143 kg kokainë në portin e Durrësit

https://www.youtube.com/watch?v=Jm3dZCejj4Q


Sekuestrohet 143 kg kokainë në portin e Durrësit

15:44 10/04/2021

Mbërriti nga Ekuadori në një kontejner me banane

143 kilogram kokainë u sekuestruan nga policia në portin e Durrësit mesditën e së shtunës. Lënda narkotike ishte fshehur në ndarje të veçantë në tavanin e një kontejneri të mbushur me banane të nisur nga porti i Guajakil në Ekuador kishte qëndruar transit në atë të Goia Tauro në Itali me destinacion Shqipërinë.

Droga ishte ndarë në gati 200 pako të madhësive të ndryshme dhe siç duket nga pamjet ishte mbështjellë me letër natriban të zi dhe kafe. Disa pakove kanë foton e narkotrafikantit Pablo Eskobar me mbishkrimin në spanjisht “më i miri” ndërsa të tjera me mbishkrimin “plakushi” dhe “vëllai”, një mënyrë kjo e përdorur nga trafikantët për të identifikuar porositësit.

Ngarkesa me banane ishte porositur nga kompania “Masabi Fruits”, e themeluar në vitin 2018 nga 2 ortakët Klajdi Xibraku dhe Erion Peti 30 dhe 42 vjeç me këtë seli në zonën e Kombinatit në Tiranë. Të dy ata u vunë në prangat e policisë. Menjëherë pas zbulimit të drogës në ambientet e kompanisë kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë kryer kontrolle të tjera.

Mësohet se kontejneri kishte disa ditë që kishte mbërritur në port. Droga u zbulua nga një kontroll rutinë edhe për shkak se ngarkesat nga Ekuadori kanë një vëmendje të veçantë për shkak të riskut të lartë. Pas kalimit në skaner ekspertët kanë marrë një sinjalizim dhe më pas kontejneri i është nënshtruar një kontrolli të detajuar që çoi deri në zbulimin e lëndës narkotike.

Ky është rasti i dytë në vetëm pak ditë që zbulohet kokainë në portin e Durrësit. Në 1 prill në një tjetër ngarkesë me banane të nisur nga Ekuadori u gjetën 49 kilogram kokainë. Në pranga u vendos Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt të dënuar me 14 vite burg për ngarkesën me 613 kilogram kokainë të sekuestruar në 2018-ën në magazinat e Maminasit të kompanisë së tij Arbri Garden. 

Tv Klan







Të ngjashme