Shteti merr ish-Kampin e Punëtorëve, truall dhe 17 apartamente në Sarandë

Gjykata e Posaçme ka konfiskuar 40% të pasurive të Kelmend dhe Bashkim Balilit dhe të shoqërisë në pronësi të tyre. Përmes një njoftimi për mediat thuhet se SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të Balilajve, 40% e të cilave tashmë kanë kaluar në favor të shtetit. Bëhet fjalë për rreth 12 mijë metër katror truall, objekti 5 katësh i ish-Kampit të Pushimit të Punëtorëve, i njohur me emrin “Santa Quaranta”, si dhe 16 apartamente në pronësi të Bashkim Balilit.

Sipas prokurorisë, pasuritë e konfiskuara nuk justifikohen dhe janë vendosur nga aktivitetit kriminal i Balilit. Ndërkohë pjesa tjetër e pasurisë, pas verifikimeve ka rezultuar se është krijuar në mënyrë të ligjshme. Sipas hetimeve,  60 % të pasurisë familja Balili e ka krijuar para se Kelmend Balili të merrej me aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike. 

48-vjeçari është dënuar me 10 vite heqje lirie, për akuzat e “Trafikut ndërkombëtar të drogës”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim parash”. Balili u dënua fillimisht nga Gjykata e Shkallës së parë më 15 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 10 vite heqje lire. Ai u vu në pranga në Janar të 2019-s, pasi u vetëdorëzua në polici, ndërsa është cilësuar nga mediat greke si ‘Eskobari i Ballkanit’.

Tv Klan