Një 26 vjeçar i montonte për shpërthim në distancë

Policia e Sarandës ka sekuestruar gjatë operacionit të koduar “Knock Out 5”, 5 kallëpe tritoli, nga të cilat 2 ishin të montuar dhe gati për shpërthim në distancë. Po ashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kapsolla detonatorë, 3 krehra dhe municion luftarak.

Në pranga për posedimin e tyre ranë dy vëlezërit Haredin dhe Huso Ogiçi, 61 dhe 56 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një 26-vjeçar. Burime bëjnë me dije për Klan News se dy vëllezrit Ogiçi kishin sasinë e tritolit ndërsa 26 vjeçari bënte montimin, për të bërë gati shpërthimin e minave në distancë.

Policia thotë se të tre ata bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të përgatitur lëndën plasëse dhe më pas ua shisnin grupeve kriminale. Hetuesit kanë dyshime se eksplozivi u është shitur grupeve kriminale që veprojnë në Vlorë por nuk përjashtohet edhe shitja e municionit në qytete të tjera.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë një 58 vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi municioni luftarak.

Operacioni në Sarandë është vijimi një seri operacionesh kryesisht nëVlorë, ku janë sekuestruar kallëpe tritoli të montuara për shpërthim në distancë. Gjatë 4 operacioneve të mëparshme të zhvilluara në 1 vit, policia ka sekuestruar në total 13 mina me telekomandë, që dyshohet se shiten në shifra që shkojnë deri në 10 mijë euro.

Klan News