Pas intervistës së dhënë për “The New York Times” nga Baba Edmond Brahimaj për krijimin e Urdhrit Bektashi, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Selisë Botërore të Bektashinjve. Në këtë reagim thuhet se kjo Seli e mirëpret këtë nismë të jashtëzakonshme.

“Mirëpresim shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur. Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes do fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative.”

Selia Botërore e Bektashinjve sqaron se kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën.

“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen, as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare. Si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit.”

Në përfundim të reagimit nga Selia Botërore e Bektashinjve në Shqipëri nënvizohet se ndryshe nga sa është aluduar në media, shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër veç udhëheqjes shpirtërore.

Klan News