Të dielën ne transmetuam një kronikë ku informonim që në Fushëbardhë dhe Zhulat të Gjirokastrës, 150 krerë bagëti ngordhën nga plasja dhe u hodhën në lumin e Cepos. Plasja është një sëmundje e tmerrshme dhe për njerëzit, por lajmin për këtë sëmundje Ministria e Shëndetësisë e ka mësuar nga ne. Kryeinspektori sanitar Petrit Vasili tregon:

Petrit Vasili: Informacioni më i rëndësishëm është që nuk kemi shpërthim të tyre apo patologji në njerëz. Informacionin e vlefshëm që media ka dhënë ne e kemi vlerësuar maksimalisht me institucionet siç është Ministria e Bujqësisë që është dhe enti kompetent për problemet që kanë lidhje me zonën apo sëmundjet që mbarten nga kafshët. Ministria e Shëndetësisë në çdo rast është ministri konstatuese dhe jo ndërhyrëse.

Gazetarja: A ju kanë ardhur informacione nga Ministria e Bujqësisë?

Petrit Vasili: Informacionet nga Ministria e Bujqësisë për këtë rast ne nuk kemi, por ne duke vlerësuar informacionin e vlefshëm të medias, që u tregua e saktë në kohën e duhur, ne i kemi kërkuar me shkrim Ministrisë së Bujqësisë në nivelet më të larta të saj që të na informojë lidhur me situatën atje në mënyrë që ne të kemi mundësi të njoftojmë organet shëndetësore lokale për të ndërhyrë në momentin e duhur dhe për të investiguar rastet që do të ishin të dyshimta për këtë gjë.

Ndërsa në Ministrinë e Bujqësisë, specialisti Fisnik Kulheku pranon se ka vetëm 12 raste aktive me plasje, por mjeku i zonës Sadik Aliko thotë:

“Ka rënë plasja në bagëti dhe kanë humbur rreth 150 kokë ose më tepër.”

Të njëjtën gjë pranon dhe kryeplaku i Zhulatit./tvklan.al