Koka e një 29-vjeçareje nga Brazili është trefishuar në përmasa për shkak të një sëmundjeje të rrallë që zakonisht shkakton vdekjen e fëmijëve përpara se të mbushin tre vjeç.

Graziely Alves Regis është e lidhur pas shtratit, nuk flet prej vitesh dhe ka humbur shikimin ndërsa koka e saj zmadhohej, shkruan “Daily Mail”.

Sëmundja e saj nisi përpara se të lindte sepse iu zhvillua hidrocefalus ose një grumbullim anormal lëngu në tru teksa ndodhej ende në bark. Presioni i lëngut mund të dëmtojë indet dhe të deformojë formën e kafkës dhe mund të jetë vdekjeprurës nëse ushtron presion mbi pjesët e trurit që mbajnë në funksion zemrën dhe mushkëritë.

Nëna e Graziely, Adalgisa, 48 vjeç, kujdeset vazhdimisht për të bijën dhe shpreson se do mund t’i dhurojë dashuri për sa më shumë vite. Ajo shprehet se e dinte që diçka shkonte keq kur ishte 8-muajshe shtatzënë me Graziely pasi kaloi një dhimbje shumë të fortë.

Testi tregoi që vajza kishte hidrocefalus, i cili prek 1 në 500 foshnja dhe vetëm 1 në 5 raste mund të arrijë moshën e rritur. Për shkak të gjendjes së Graziely, mjekët vlerësuan se ajo do të jetonte 1-3 muaj.

Kur lindi, ajo quhej një bebe gjigande për shkak të kokës së saj, e cila ka ndryshuar përgjatë viteve. Megjithatë, i tejkaloi parashikimet e mjekëve dhe do të mbushë 30 vjeç muajin e ardhshëm.

Lëngu në tru zakonisht mund të trajtohet nëpërmjet kirurgjisë, por Adalgisa thotë se nuk mund të bëhej asgjë përpara lindjes së vajzës ose pas saj. Nëna rrëfen se nuk e ka problem që njerëzit e thërrasin të bijën ”një bebe gjigande” për shkak se i duhet t’i ndërrojë pelenat dhe ta ushqejë me biberon, por epitetet e tjera janë mizore.

Fjala ‘bebe’ është afektive, por kur e thërrasin ‘kokëmadhe’, trishtohem. E rëndësishme është që unë, familjarët  dhe miqtë e duam Graziely ashtu siç është”.

Adalgisa nuk punon pasi ia ka kushtuar jetën kujdesit dhe mirëqenies të së bijës. Familja jeton në verilindje të Brazilit, në Sao Luis dhe mbështetet në asistencën e  invaliditetit që ofron shteti. Familja has vështirësi ekonomike për shkak të kostove të pelenave për të rritur dhe gjërave të tjera të nevojshme, por kanë vendosur se do t’i dhurojnë Graziely gjithë dashurinë e mundshme./tvklan.al