Kardiologia Lika: Ka ulje të moshës së pacientëve me 15 vite në krahasim me disa vite më parë

Sëmundjet e zemrës janë ndër patologjitë më të shpeshta të diagnostikuara në sistemin shëndetësor shqiptar.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik ka një rritje me 30% të pacientëve në 10 vitet e fundit. Ndërkohë, kardiologia pranë ambulancës qendrore në Tiranë, Manjola Lika tha se veç rritjes së numrit të pacientëve, ka dhe një ulje të ndjeshme të moshës së tyre.

Sipas ekspertes, faktorë madhorë të riskut për sëmundjet ishemike të zemrës në vendin tonë janë hipertensioni, yndyrat e larta në gjak dhe diabeti, ndaj ajo këshillon një dietë ushqimore të shëndetshme.

Sipas të dhënave të fundit të ISHP-së në Shqipëri, rezultojnë rreth 88 mijë persona që jetojnë me sëmundje zemre nga të cilët 36,675 janë me sëmundje ishemike të zemrës. Ndërsa rreth 290 mijë persona janë me hipertension apo sëmundje të tjera të qarkullimit të gjakut.

Klan News