Republikanët dhe demokratët miratuan aktin e mbrojtjes

Senati amerikan i kontrolluar nga republikanët, në një seancë të rrallë të mbajtur në ditën e parë të vitit 2021, tejkaloi veton që Presidenti Donald Trump kishte vënë ndaj projekt-ligjit për mbrojtjen.

Senati votoi me 81 vota pro dhe 13 kundër, një shumicë shumë më e madhe se /23 që kërkon ligji, për të tejkaluar veton presidenciale.

Ligjvënësit republikanë i kanë qëndruar kryesisht besnik presidentit gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë dhe votimi i së premtes shënon herën e parë gjatë mandatit të Trump kur Senati hedh poshtë veton e tij ndaj një projektligji. Kjo pasi 8 vetot e mëparshme të Presidentit janë mbështetur prej tyre.

Ndaj këtij votimi reagoi edhe vetë Presidenti Trump, i cili nëpërmjet një mësazhi në rrjetet sociale nuk ngurroi t’i sulmojë senatorët republikan.

“Senati ynë republikan sapo humbi mundësinë për të hequr qafe Seksionin 230, i cili u jep fuqi të pakufizuar kompanive të Big Tech. Patetike”.

Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një projektligj prej 740 miliardë Dollarësh, Trump nuk pranoi ta kthejë në ligj, sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë.

Akti financon shumë projekte qeveritare, që nga numri i anijeve që prokurohen e deri te pagesat për ushtarët dhe masat për të përballuar kërcënimet gjeopolitike.

Presidenti gjithashtu kundërshtonte një dispozitë që u heq bazave ushtarake të vendit emrat e gjeneralëve të luftës civile amerikane që luftonin në emër të Konfederatës së shteteve të jugut.

Tv Klan