Biden: 1.9 trilion dollarë për ameriknët që u dëmtuan nga Covid-19

Projektligji i presidentit amerikan Joe Biden, për t’i ndihmuar amerikanët të përballen me pasojat e pandemisë së koronavirusit, ka kaluar një pengesë të madhe.

Plani prej 1.9 trilion dollarësh amerikanë është miratuar në Senat, pavarësisht se republikanët votuan kundër.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët e Bidenit pritet ta kalojë këtë plan të martën e ardhshme.

Biden e ka përshkruar votën në Senat si “një tjetër hap gjigant përpara”, teksa është zotuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Kriza më e keqe shëndetësore në një shekull në Shtetet e Bashkuara ka lënë gati 523,000 persona të vdekur, mbi 29 milionë të infektuar dhe ka rezultuar me një shkallë të papunësisë prej 6.2 për qind.

Paketa e ndihmës, e treta në Shtetet e Bashkuara, prej fillimit të pandemisë parashikon ndarjen e pagesave në vlerë të 1,400 dollarëve për shumicën e amerikanëve.

Biden ka thënë se pagesa të tilla mund të nisin të shpërndahen më vonë gjatë këtij muaji.

Ndërsa republikanët besojnë se plani është shumë i kushtueshëm.

Klan News