senatoretNjë grup prej 84 senatoresh, diplomatësh e zyrtarësh për politikën e jashtme amerikane nga të dyja krahët e politikës i kanë bërë thirrje presidentit Barak Obama t’i japë fund mbështetjes ndaj kryeministrit turk Rexhep Taip Erdoan. Ata i kanë dërguar një letër presidentit amerikan, ku akuzojnë Erdoanin dhe qeverinë e tij për veprime antidemokratike. Zyrtarët amerikanë shprehen se kryeministri turk ka shkelur shtyllën kryesore të partneritetit strategjik të nisur dekada më parë mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, atë të një demokracie në rritje në Turqi.

Në letër, i kërkohet presidentit amerikan Barak Obama t’i bëjë të qartë publikut turk, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për rrugën që po ndjek aktualisht Turqia. Ata paralajmërojnë se heshtja amerikane do të inkurajojë kryeministrin turk të vazhdojë të minojë sundimin e ligjit. Letra është nënshkruar nga emra të njohur mes demokratëve, pjesë e administratës Obama, si drejtorja e planifikimit të politikave të Departamentit të Shtetit En-Meri Sloter, Xhulien Smith, këshilltare e zv/presidentit apo Dennis Ross, zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Letra është nënshkruar gjithashtu edhe nga shumë senatorë republikanë.

Sipas ekspertëve, Obama po ben nje sy qorr ndaj autokracisë në rritje në këtë vend, që pas protestave të verës së shkuar në Stamboll. Kritikë janë veçanërisht me qëndrimin e kreut të Departamentit të Shtetit Xhon Kerri, që muajin e shkuar i premtoi homologut turk Davutollu se Uashingtoni nuk do të ndërhynte në çështjet e brendshme të Turqisë. Kohët e fundit adiministrata Erdoan është përfshirë nga skandale korrupsioni që kanë shkaktuar protesta mbarëpopullore. Janë miratuar gjithashtu një sërë ligjesh, siç ishte edhe ai për shtimin e kompetencave të drejtpërdrejta të qeverisë për kontrollin ndaj internetit, që për perëndimorët shihen si dhunime të të drejtave të njeriut.