Ndaj Presidentit Brazilian janë ngritur disa akuza për menaxhimin e pandemisë

Senatorët brazilianë kanë votuar për të rekomanduar akuza kundër Presidentit Jair Bolsonaro, për mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit. Raporti është bërë pas gjashtë muajsh hetimesh në lidhje me skandalet dhe korrupsionin në qeveri. Presidenti Bolsonaro është akuzuar për dështim në kontrollimin e situatës me virusin, i cili ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 600 mijë brazilianëve.

Gjetjet e këtij raporti do t’i dërgohen kryeprokurorit, një i emëruar nga vetë Bolsonaro. Nuk ka asnjë garanci që ky votim do të çojë në akuza të vërteta penale, pasi rekomandimet e raportit duhet të vlerësohen tani nga prokurori i përgjithshëm Augusto Aras, i cili pritet të mbrojë Presidentin.

Që nga fillimi i pandemisë, Bolsonaro ka kundërshtuar kufizimet e vendosura nga qeveritë e shteteve federale të Brazilit për të ndaluar përhapjen e virusit.

Përveç krimeve kundër njerëzimit, Komiteti i Senatit ka rekomanduar edhe tetë akuza të tjera përfshirë, nxitje të krimit, falsifikim të dokumenteve dhe shkelje të të drejtave sociale. Bolsonaro akuzohet për keqpërdorim të fondeve publike dhe përhapje të lajmeve të rreme për pandeminë.

Disa ditë më parë Bolsonaro deklaroi se vaksinat kundër Covid shkaktojnë SIDA dhe më vonë YouTube dhe mediat sociale bllokuan videon e Presidentit brazilian.

Brazili, një vend me 208 milionë banorë, ka regjistruar të paktën 606,000 vdekje dhe 21.7 milionë raste të infektimit.

Klan News