Kurti nuk tërhiqet, Vuçiç kërkon ndërhyrjen e BE

Kamionë të shumtë janë vendosur rreth 3 kilometra afër pikës kufitare në Jarinjë, ndërsa disa banorë lokalë serbë po vazhdojnë të qëndrojnë në vendin ku janë vendosur barrikadat. Barrikada janë ngritur edhe në rrugët që çojnë në pikat kufitare Bernjak dhe Jarinjë. Njësi të shumta speciale dhe policia po qëndrojnë pranë protestuesve.

Edhe gazetarët të cilët, një ditë më parë, ndoqën situatën në Veri kanë mbetur të bllokuar deri në mesditën e së martës kur edhe janë larguar nën kujdesin e njësisë speciale. Në pikën kufitare në Jarinjë nuk është lejuar asnjë makinë të futet në Kosovë, përfshirë edhe ekipin e Tv Klan.

Gjithçka ka nisur mëngjesin e së hënës pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për targat e automjeteve serbe.

Ndryshe nga pikat e Bërnjakut dhe Jarinjës, në pikën tjetër kufitare, atë të Merdarit, nuk ka probleme në ushtrimin e vendimit për reciprocitet për targat e përkohshme për veturat serbe. Problem aty janë bërë kolonat e gjata të kamionëve që po presin teëfuten në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti në një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it ka thënë se nuk heq dorë nga reciprociteti për targat. Sipas tij ose të dyja palët kanë të drejtë ose e kanë gabim. Ndërsa presidenti serb Alekasandër Vuçiç tha në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë se Kosova duhet të tërheqë forcat speciale nga Veriu duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Bashkimit Europian.

Tv Klan