Në katër komunat e veriut të Kosovës sot janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme, pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave për shkak të taksës së vënë ndaj produkteve serbe nga qeveria e Kosovës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 42.2 % të qytetarëve të këtyre komunave kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Në bazë të rezultateve preliminare të koalicionit të OJQ-ve, Demokracia në Veprim, fitues në të katër komunat janë kandidatët e Listës Serbe. Sipas DnV-së, Goran Rakic i Listës Serbe në Mitrovicën e Veriut ka fituar 95.2% të votive, Gonxhe Qaushi e PDK-së 3.1%, ndërsa Erden Atiq i LVV-së, 1.6% të votave.

Në Zubin Potok, Srdjan Vuloviç ka fituar 94.1% të votave, Hysen Mehmeti i PDK-së 3.1%, ndërsa Liridona Kahrimani e LVV-së, 2.8% të votave. Në Leposaviç, 96.4% të votave i fitoi Zoran Todiç nga Lista Serbe, kandidati i PDK-së 2.1%, ndërsa i Vetëvendosjes, 1.5% të votive.

Në Zveçan, Lista Serbe fitoi gjithashtu 96.4% me Vuçina Jankoviç, Lëvizja Vetëvendosje me Avdi Pecin 2.2%, ndërsa PDK-ja me Ilir Pecin 1.4%. Rikujtojmë se Lista Serbe ishte e vetmja parti serbe që garoi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, madje tre prej kandidatëve ishin të njëjtit që u dorëhoqën për shkak të taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe dhe u rikandiduan përsëri.

Dy partitë tjera nuk kanë kandiduar fare. Pas mbylljes së vendvotimeve, Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media, tha se ka dalë fituese në mesin e partive shqiptare.

Megjithatë gjatë ditës janë evidentuar disa parregullsi ku vëzhguesit kanë vërejtur se gjatë procesit të votimit janë lejuar disa qytetarë serbë që të votojnë me dokumentacion të Serbisë. Ndërsa në disa qenda votimi ishin të vendosur flamuj serbë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se në këto zgjedhje qytetarët dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Tv Klan