Humbet 1 – 0 me Crvena Zvezda me një lojë të mirë

Tirana është eliminuar nga Champions League. Bardheblutë e humbën me rezultatin 1 – 0 sfidën e turit të dytë kualifikues me Crvena Zvezda e zhvilluar të martën në ‘Air Albania Stadium’.

Një paraqitje e mirë për kampionët e Shqipërisë përballë atyre të Serbisë, por që nuk solli një rezultat pozitiv dhe tani duhet të vijojnë në raundin e tretë të Europa League sipas formatit të parashikuar nga UEFA.

Tirana e nisi në mbrojtje takimin, por me kalimin e minutave krijoi raste, ku më i rrezikshmi në pjesën e parë ishte i Hoxhallarit. Goditja e tij e dënimit u ndal me vështirësi nga Borjan.

Bardheblutë vijuan me mundësi shënimi edhe gjatë pjesës së dytë, por më konkretë u shfaqën serbët. Tomane mposhti në minutën e 62’ mbrojtjen dhe portierin Lika, duke kaluar në avantazh Crvena Zvezda.

Lojtarët e Tiranës nuk u dorëzuan deri në fund, por pa mundur të realizonin. Kjo sfidë emocionuese u transmetua direkt në Syti TV, pjesë e platformës dixhilate të Tv Klan.

Tv Klan